Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, raporton Llapi.info.
Në këtë takim, i pari i Podujevës ka paraqitur pakënaqësitë e tij për anulimin e ndërtimit të Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, e po ashtu edhe për shumën e ndarë nga Qeveria për dëmet e shkaktuara në bujqësi nga vërshimet.
Kështu ka bërë të ditur vetë Bulliqi në një postim në rrjetin social, Facebook.
“Në takimin e sotëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti, lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19, fola për rritjen e numrit e të infektuarve me këtë virus dhe për punën që po bën stafi shëndetësor i QKMF, veçmas qendra anti-COVID në trajtimin e pacientëve. Gjatë takimit shpreha shqetësimin tim për anulimin e projektit të ndërtimit të Spitalit të Përgjithshëm dhe telashet infrastrukturore që na janë shkaktuar si pasojë e rrënimit të një objekti të QKMF-së, ku është planifikuar të ndërtohet objekti i spitalit. Kur jemi te shëndetësia përmenda një problem tjetër të madh me të cilin po përballemi, që është mungesa e madhe e stafit mjekësor, për shkak të shkuarjes në specializim të 10 mjekëve”, ka shkruar ai.
“Një tjetër shqetësim që ngrita në këtë takim ishte çështja e kontratës kolektive në arsim, implementimi i së cilës e ka futur në borxh Komunën tonë për më shumë se një milion euro. Gjithashtu shpreha pakënaqësi për shumën e ndarë nga Qeveria për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në bujqësi. Qeveria në detyrë ishte zotuar të ndajë 7.6 milionë euro për kompensimin e dëmeve nga vërshimet, ndërsa janë ndarë vetëm 1 milion euro”, ka shkruar Bulliqi./Llapi.info






