Ka disa ditë që pronarët e disa kompanive të autobusëve në Podujevë kanë nisur protestën për t’i larguar taksistët ilegalë që operojnë në linjën Podujevë – Prishtinë, shkruan Llapi.info.
Krejt kjo, pasi që siç kanë thënë ata, po punojnë me humbje. Madje, të njëjtit kanë qëndruar së bashku me Inspektoratin dhe Policinë e Kosovës në rrugën “Zahir Pajaziti”, aty në vend-qëndrimin e taksive, duke i larguar këta të fundit.
Pikërisht për këtë janë ndërmarrë disa aksione, teksa ndaj taksistëve janë shqiptuar edhe gjoba. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
“Disa pronarë të kompanive të autobusëve po shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me funksionimin e taksive ilegalë. I ka një javë që Inspeksioni në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke shqiptuar gjoba çdo ditë për taksistët ilegalë që punojnë në linjën Podujevë – Prishtinë. Rreth një muaj më herët, kryetari Bulliqi dhe drejtori i Insepksionit, Ajet Potera, kanë mbajtur takim me taksistët që operojnë më këtë linjë dhe për të arritur një marrëveshje për legalizimin e taksive dhe për t’u zhvendosur në një vend më të përshtatshëm, ku nuk e pengojnë komunikacionin”, është shprehur ai ditë më parë.
E largimi i taksive ilegalë duket se po shfrytëzohet nga autobusët të së njëjtës linjë. Madje, duke i kaluar edhe limitet. Kështu kanë thënë qytetarë llapjanë që kanë dërguar pamje në Llapi.info. Ata kanë thënë se autobusët po mbushen me udhëtarë më shumë seç duhet. Sipas tyre, në shumë raste, udhëtarët qëndrojnë edhe në këmbë. Kështu ka ndodhur edhe sot në njërin nga autobusët. Aty, siç shihet në pamje, s’është përfillur distanca, kusht ky kryesor për t’u mbrojtur nga pandemia COVID-19.
Edhe ditë më parë, në po këta autobusë, udhëtarët janë ankuar për stër-mbushje.
Ndryshe, pronarët e autobusëve vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për taksistët ilegalë. Në shumë raste ka pasur protesta e po ashtu edhe greva./Llapi.info







