Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Komunës së Podujevës kanë larguar dhe kanë shqiptuar gjoba ndaj taksistëve ilegalë që operojnë në relacionin Podujevë – Prishtinë dhe anasjelltas, raporton Llapi.info.
Këto aksione për t’u larguar nga vend-qëndrimi i tyre vijnë pas protestave nga pronarët e 25 kompanive të autobusëve, të cilët qarkullojnë në të njëjtën linjë.
Pronarë të këtyre autobusëve kanë thënë për Llapi.info se puna e tyre do të vazhdojë siç ka qenë deri më tani, por që protestat e tyre do të vijojnë gjer në plotësimin e kërkesave të tyre, në këtë rast largimin e taksive ilegale.
Përveç kësaj, pronarët e tyre janë shprehur kundër shtrenjtimit të peronizimit, me ç’rast të njëjtin nuk janë duke qëndruar në Stacion.
Se që është duke u punuar në këtë drejtim e ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia. Ky i fundit ka thënë se ndaj taksive ilegalë janë duke u shqiptuar edhe gjoba.
“Disa pronarë të kompanive të autobusëve po shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me funksionimin e taksive ilegalë. I ka një javë që Inspeksioni në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke shqiptuar gjoba çdo ditë për taksistët ilegalë që punojnë në linjën Podujevë – Prishtinë. Rreth një muaj më herët, kryetari Bulliqi dhe drejtori i Insepksionit, Ajet Potera, kanë mbajtur takim me taksistët që operojnë më këtë linjë dhe për të arritur një marrëveshje për legalizimin e taksive dhe për t’u zhvendosur në një vend më të përshtatshëm, ku nuk e pengojnë komunikacionin”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sa i përket shtrenjtimit të peronizimit, Zhitia ka thënë se kjo nuk është në kompetencë të Komunës së Podujevës.
“Sa i përket çmimit të peronizimit, është nën kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe jo të Komunës. Por, Bordi i Stacionit të Autobusëve në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës vendosin çmimin e peronizimit”, është shprehur Zhitia.
Duhet përkujtuar se pronarët e kompanive të transportit të udhëtarëve edhe më herët kanë mbajtur greva për shkak të taksistëve ilegalë./Llapi.info






