Gjobitjes për shkeljen e masave anti-covid gjatë fushatës zgjedhore në Podujevë s’i ka shpëtuar as Lëvizja Vetëvendosje, raporton Llapi.info.
Përveç kësaj partie, Komuna e Podujevës ka gjobitur edhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po ashtu me nga 2 mijë euro. Të gjitha këto parti i kanë shkelur masat kundër virusit korona.
Shqiptimin e gjobave e ka bërë të ditur edhe drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Ajet Potera.
Potera ka shtuar se gjobat janë shqiptuar nga Inspeksioni së bashku me Policinë dhe inspektorët sanitarë nga MSH.
“Gjatë fushatës zgjedhore shkurt 2021 në Komunën e Podujevës, Drejtoria e Inspeksionit të Podujevës së bashku me Policinë e Kosovës në Podujevë dhe Inspektorët Sanitarë nga Ministria e Shëndetësisë kemi shqiptuar gjoba për shkeljet e masave anti COVID-19 (GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS /Nr.3/25 GUSHT 2020, PRISHTINË – LIGJI NR. 07/L-006 PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E PANDEMISË COVID-19 NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS- Neni 25), gjatë tubimeve elektorale për gjitha subjektet politike, për; -Lëvizjen VETËVENDOSJE! (LVV) -Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) -Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) -Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)”, ka shkruar ai në Facebook.
Duhet përkujtuar se partitë janë gjobitur edhe në Komuna tjera, pasi të njëjtat s’i kanë përfillur masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19./Llapi.info






