Lokale - eSIMy

Ka shënuar rënie lakorja e numrit të rasteve të reja dhe i atyre aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Përgjatë 24-orëve të fundit në këtë komunë pozitivë për virusin korona kanë rezultuar tetë persona.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), dy raste janë në qytet, dy në fshatin Majac dhe me nga një rast në fshatrat; Bradash, Gllamnik, Shakovicë dhe Sallabajë.

Se që është zvogëluar numri i rasteve aktive me këtë virus në Podujevë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Sot i kemi pasur tetë raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Numri i rasteve aktive tash është 278, kurse i atyre me fatalitet 44”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se edhe 74 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 3 mijë. Deri më tani, janë raportuar 44 viktima, kurse 2.511 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rënies së numrit të rasteve të reja, ditë më parë Komuna e Podujevës është larguar nga zona e kuqe, për të kaluar kështu në zonën e verdhë. Me kalimin në këtë zonë edhe është hequr kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Ndërkaq, sot në Kosovë janë shënuar edhe 249 raste të reja me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Rezultatet janë në bazë të 2.291 mostrave të testuara.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë regjistruar në muajin mars të vitit 2020, në kohën kur u shpall pandemia e COVID-19.

Deri më tani autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar gjithsej 62.258 persona të infektuar, prej të cilëve 54.042 janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 6.693./Llapi.info