Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ka thënë se kushdo që do të jetë president/e i/e vendit do të duhet të përballet me Serbinë.
Ai, nga një tubim elektoral në Gjilan, ka thënë se ai – nëse bëhet president – mund ta bëjë një gjë të tillë duke shtuar se e ka një jetë përballje me të dhe asnjëherë nuk është thyer.
“Listës së dëshmuar të AAK-së me njerëz të zotë të profesioneve të ndryshme dhe që janë të gatshëm ta marrin besimin i prij unë. Ka edhe diçka – është presidenti. Presidenti është nyja e procesit zgjedhor. Ne nuk kemi president, por kemi ushtrues detyre. Duhet ta zgjedhim presidentin, sepse pa e zgjedhë presidentin nuk mund të krijojmë institucione. Pa një president të zotë e kemi zor me i ec punët tona. Kush mund t’i kryjë punët e Kosovës si president? Besoj që muj me i kry”.
“Duhet ta fuqizojmë Kosovën në planin e brendshëm. Duhet ta anëtarësojmë Kosovën në NATO. Duhet të përballemi edhe me Serbinë e cila po vazhdon ta bllokojë Kosovën. Deri tash janë përmendur dy kandidatë për president. Njëra është Vjosa Osmani për të cilën kam respekt si intelektuale dhe kolege në politikë. Për përballjen me Serbinë përvoja ime është ndryshe – historia e tregon ndryshe. Kam pasë një jetë në përballje me Serbinë dhe deri sot Serbia nuk ka mrri me më thy as mu as Kosovën”.
“Herën e parë jam përball frontalisht me ta më 6 maj 1997 në Qafë të Mullarit në kufirin shqiptaro-shqiptar. Aty më është vrarë vëllai Luani dhe e kemi tërhequr trupin e tij. Nuk e kemi humbur momentumin e luftës dhe për pak kohë jemi kthyer në vendluftim. Herën e dytë e kam pasë më 24 mars 1998 në familje. Na ka rrethuar ushtria e Millosheviqit me krejt çka ka pasë – me polici, ushtri, helikoptera, mjete të blinduara dhe tankse. Gjithë ditën ka zgjatur lufta dhe asnjë prej neve që kemi qenë brenda nuk jemi vrarë në rrethim të parë. Në rrethim të tretë na janë vrarë dy bashkëluftëtarë dhe një kushëri. Në vazhdimësi kanë vazhduar presionet me na dobësu”.
“Kur u lazdru Serbia, se u lazdru pak tu mendu që janë bo shumë të zotë, dhe nuk na la me hy në INTERPOL dhe doli e mbajti fjalime të lazdruare, derisa [Aleksandar] Vuçiqi e [Ivica] Daçiqi u keshën duke thënë se ‘ja kallxojmë vendin Kosovës’ nuk iu doli mirë se na ja kallxum vendin atyre me taksën – edhe kanë vajtu për taksën 1 vjet e sa”.
Pretendenti për postin e presidentit nga AAK-ja nga Gjilani, ashtu siç po bën në secilin tubim elektoral, e ka shpalosur programin ekonomik të partisë së tij për të cilin po thotë se është zgjidhja e duhur për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.