Lokale - eSIMy

Të dielën janë regjistruar edhe 15 raste pozitive me virusin korona në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, 5 prej tyre në qytet, 3 në Llapashticë të Epërme, 2 në Letanc dhe me nga një rast në fshatrat; Batllavë, Bellopojë, Dobratin, Dobërdol, Dumnicë e Epërme, Gllamnik, Kaçybeg, Sfeçël dhe Surkish.

Aktualisht në këtë komunë aktivë me këtë virus janë edhe mbi 350 qytetarë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Instituti na ka njoftuar sot për 15 raste pozitive me koronavirus në rajonin e Podujevës. Tash për tash i kemi 352 raste aktive me COVID-19, ndërkohë që deri më tani janë 41 raste me fatalitet”, është shprehur ajo.

Epidemiologia e Rama ka thënë se edhe 72 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 3 mijë. Deri më tani, janë raportuar 41 viktima, kurse 2349 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rënies së numrit të rasteve të reja, të premten Komuna e Podujevës është larguar nga zona e kuqe, për të kaluar kështu në zonën e verdhë. Me kalimin në këtë zonë edhe është hequr kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Në anën tjetër, në Kosovë sot janë regjistruar edhe 287 raste pozitive me COVID-19, pas testimit të 2.438 mostrave.

Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes, dukë bërë kështu që numri i tyre të arrijë në 1498. Ndërkaq, në 24 orët paraprake janë shëruar edhe 229 pacientë.

Që prej 13 marsit 2020, e deri më 30 janar 2021, Kosova ka regjistruar 60.218 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.498 pacientë kanë vdekur dhe 52.437 janë shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë 6.283./Llapi.info