Lokale - eSIMy

Të dielën janë regjistruar edhe 34 raste pozitive me virusin korona në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, 12 janë në qytet, 5 në Batllavë, 5 në Bradash, 2 në fshatrat; Gllamnik, Shkovicë dhe Lladoc dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Letanc, Llugë, Majac, Metehi dhe Zakutë.

Aktualisht në këtë komunë aktivë me këtë virus janë edhe mbi 340 qytetarë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Instituti na ka njoftuar sot për 34 raste pozitive me koronavirus në rajonin e Podujevës. Tash për tash i kemi 344 raste aktive me COVID-19, ndërkohë që deri më tani janë 41 raste me fatalitet”, është shprehur ajo.

Epidemiologia e Rama ka thënë se edhe 83 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 3 mijë. Deri më tani, janë raportuar 41 viktima, kurse 2230 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rritjes së lakores me të infektuar të rinj, Komuna e Podujevës ditë më parë është futur sërish në zonën e kuqe sa i përket rrezikshmërisë me COVID-19.

Me masat e reja, operatorëve ekonomikë në zonën e kuqe iu lejohet të punojnë deri në orën 21:00, derisa ndalohet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:30 deri në orën 05:00.

Në anën tjetër, në Kosovë sot janë regjistruar edhe 392 raste të reja me COVID-19, pas testimit të 1.618 mostrave.

Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes, duke bërë kështu që numri i tyre të arrijë në 1.456.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 222 pacientë.

Kosova regjistroi rastet e para me koronavirus më 13 mars, 2020. Që atëherë, deri më 17 janar, janë regjistruar 58.088 raste, ku 1.456 pacientë kanë vdekur dhe 50.953 janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 5.679./Llapi.info