Joe Biden është zotuar se si president i SHBA-së do të angazhohet për të qenë transparent ndaj popullit amerikan.
“Amerikanët e mi të dashur, unë e mbyll sot aty ku kam filluar, me betimin e shenjtë përpara Zotit dhe të gjithë juve, unë ua jap fjalën time. Unë do të jem gjithmonë në të njëjtin nivel me ju”, ka thënë ai gjatë fjalimit në inaugurimin si presidenti i ri i SHBA-së.
Biden ka premtuar se do ta mbrojë Amerikën për “të mirën publike”, transmeton Klan Kosova.
“Do ta mbroj Kushtetutën. Do ta mbroj demokracinë tonë. Do ta mbroj Amerikën. Do t’i jap të gjitha për të gjithë ju, do të bëj gjithçka në shërbimin tuaj duke mos menduar për pushtetin, por për mundësitë. Jo për interesat personale, por për të mirën publike. Së bashku do ta shkruajmë historinë amerikane të shpresës, jo frikës, të bashkimit, jo ndarjes – të dritës, jo errësirës. Një histori e mirësjelljes dhe dinjitetit, dashurisë dhe shërimit, madhështisë dhe mirësisë”.
“Le të jetë kjo historia që do të na udhëheqë dhe na inspiron. Historitë që do të tregojnë gjeneratat që do të vijnë do të thonë se ne iu përgjigjëm thirrjes së historisë. Demokracia, shpresa, e vërteta dhe drejtësia nuk vdiqën në kohën tonë, por triumfuan. Amerika siguroi lirinë në shtëpinë e saj dhe u bë edhe një herë fener për botën. Kjo është ajo që iu detyrohemi paraardhësve tanë, njëri-tjetrit dhe gjeneratave që do të vijnë pas nesh”, ka thënë Biden në fund të mesazhit të tij drejtuar amerikanëve.






