Fshatra të shumta në Podujevë janë përmbytur si pasojë e të reshurave të shiut dhe borës, raporton Llapi.info.
Në gjendje të rëndë është fshati Siboc i kësaj komune. Në pamjet që lexuesit i kanë dërguar në Llapi.info shihen përmbytjet që kanë përshirë këtë fshat.
Ndërkohë, gjendje alarmante është raportuar në fshatin Sfeçël. Uji atje ka arritur gjerë në pragjet e shtëpisë.

Pas vërshimeve të shkaktuara gjatë natës dhe sot, si pasojë e reshjeve atmosferike të ditëve të fundit, kryetari Shpejtim Bulliqi, ka vizituar disa nga zonat e vërshuara në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info.
Bulliqi tha se Komuna e Podujevës me të gjitha kapacitetet e saj është e angazhuar për t’u dalë në ndihmë banorëve në zonat që janë më të prekura nga vërshimet.
“Komuna e Podujevës ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet e saj, Ekipin emergjent të Komunës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe kompaninë e kontraktuar për këto raste dhe të gjithë janë në teren për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me pasoja sa më të vogla”, ka thënë ai./Llapi.info






