Lokale - eSIMy

Zyrtari i NISMA-s dhe ish-deputeti i kësaj partie, Endrit Shala, ka thënë Nisma është e gatshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat mbahen më 14 shkurt, raporton Llapi.info.

Shala, në një postim në Facebook është shprehur se Nisma është mobilizuar në Podujevë për këto zgjedhje.

“Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit, sot bashkë me sekretarin e përgjithshëm z. Bilall Sherifi dhe anëtarin e kryesisë z. Mevludin Krasniqi ishim në takim pune me shtabin zgjedhor të degës së NISMA Socialdemokrate në Podujevë. NISMA në Podujevë sikurse edhe në të gjitha degët tjera është e mobilizuar fuqishëm për këto zgjedhje”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor tha se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, për shkak se nuk kishte pasur votat e nevojshme – prej 61 – sa kërkohen për t’u zgjedhur një qeveri. Kjo pasi, për këtë qeveri kishte votuar Etem Arifi, vota e të cilit u shpall e pavlefshme sepse ndaj tij kishte një aktgjykim të formës së prerë për dënim prej më shumë se një viti burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Me këtë  rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpalli zgjedhjet e parakohshme për 14 shkurt. Osmani, po ashtu, përmes një dekreti shpërndau edhe Kuvendin e Kosovës./Llapi.info