Lokale - eSIMy

Gjatë kësaj jave, Komuna e Podujevës pritet të marrë vendim që t’u dilet në ndihmë qytetarëve të prekur me virusin korona, raporton Llapi.info.

Për këtë do të diskutohet në një mbledhje nga drejtorët e Drejtorive në këtë komunë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe Fatri Zhitia nga zyra e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Gjatë javës ka mbledhje të drejtorëve, ku ka për t’u diskutuar kjo çështje, për mënyrën dhe formën se si do të ndihmohen të prekurit me COVID-19”, është shprehur Zhitia.

Pikërisht për këtë çështje është diskutuar edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Podujevës. Këshilltarët opozitarë kanë kërkuar nga ekzekutivi që të ndjekin shembullin e komunave tjera, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve llapjanë të prekur me sëmundjen që shkakton koronavirusi.

“Kërkoj nga kryetari që të ndajë një shumë të caktuar për personat që janë prekur nga COVID-19”, ka thënë këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli.

Por, për të marrë një vendim të tillë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se duhet të vendos Kuvendi Komunal.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 2 mijë e 200. Deri më tani, janë raportuar 40 viktima, mbi 1900 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rënies së lakores më të infektuar të rinj, Komuna e Podujevës premten është larguar nga zona e kuqe, për të kaluar kështu në zonën e verdhë./Llapi.info