Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për ndarjen e 100 mijë eurove, për mbështetjen e Kroacisë, pas tërmetit që ka goditur këtë vend.
“Me këtë vendim, Qeveria e Republikës së Kosovës, rreshtohet përkrah shteteve solidare të cilat po e ndihmojnë Republikën e Kroacisë, në sanimin e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka shprehur zotimin dhe gatishmërinë që të ndihmojë qytetarët dhe institucionet e Kroacisë në tejkalimin e situatës së rëndë me të cilën po përballen, pas tërmetit i cili ditë më parë goditi këtë vend.






