Pas ardhjes së bashkatdhetarëve, kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që shërbimi për qytetarë të punojë edhe gjatë ditëve të vikendit, njofton Llapi.info.
“Shërbimet e Komunës, fushëveprimi i të cilave ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve për qytetarë, angazhohen të punojnë edhe gjatë ditëve të vikendit, ditën e shtunë dhe të diel. Organizimi i punës dhe angazhimi i stafit bëhet nga drejtorët e drejtorive përkatëse në bashkëpunim me Zyrën e personelit, në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me Rregulloren (QRK) nr. 12/2020 për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë”, thuhet në vendim.
Sipas tij, angazhimi i shërbimeve sipas këtij vendimi bëhet për shkak të rritjes së vëllimit të kërkesave dhe punëve me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve nga diaspora.
Ndërkohë, gjatë ditës së martë, kryetari i Komunës së Podujevës ka marrë vendim për t’iu lejuar bashkatdhetarëve që veturat t’i parkojnë në parkingun përballë objektit të Komunës.
“Hapësira lejohet për shfrytëzim 24 orë dhe pa pagesë. Për zbatimin e vendimit kujdeset Drejtoria e Administratës, organizon dhe cakton personelin përkatës për mbarëvajtjen e procesit”, thuhet në vendim./Llapi.info






