Lokale - eSIMy

Të dielën janë konfirmuar 26 raste të reja me virusin korona në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, prej tyre, 9 janë në qytet, 3 në fshatin Metehi, me nga 2 raste në fshatrat; Lluzhan, Letanc dhe Katunishtë, dhe me nga një rast në fshatrat; Batllavë, Bradash, Gllamnik, Lupç i Epërm, Lupç i Poshtëm, Penuhë, Sekiraçë dhe Popovë.

Aktualisht në këtë komunë janë mbi 400 raste aktive. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Sot i kemi pasur 26 raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht në të komunë aktivë janë edhe 417 qytetarë. Ndërkaq, numri i rasteve me fatalitet është 39”, ka thënë Rama.

Epidemiologia e Rama ka thënë se edhe 63 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 2 mijë. Ndërkaq, janë raportuar 39 viktima, derisa rreth 1300 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rritjes së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka thënë se masat e vendosura më parë të mbeten në fuqi edhe për disa javë të tjera.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, ku bënë pjesë edhe Podujeva.

Në këto komunë, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.

Në anën tjetër, Kosovës të dielën i janë​ shtuar 223 raste të​ reja me koronavirus, pas testimit të​ 1.001 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 8 viktima, duke bërë kështu që numri i tyre të arrijë në 1.256.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të dielën janë regjistruar edhe 342 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 11.081.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 48.905 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 1.256 pacientë kanë vdekur./Llapi.info