Komuna e Podujevës, përmes Drejtorisë për Arsim, ka filluar furnizimin e biblotekave të shkollave fillore dhe të mesme me 112 tituj dhe rreth 30 mijë ekzemplarë lektyrë shkollore, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së kontingjentit të lektyrës shkollore në SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova”, që është pjesë e kontigjentit të parë ku përfshihet furnizimi i 20 shkollave.
Me këtë rast, Bulliqi tha se investimi në furnizimin e bibliotekave të shkollave me libra është investim në dije.
“Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmën të investojmë në krijimin e hapësirave për biblioteka dhe lexim nëpër shkollat tona, krahas kësaj do të angazhohemi edhe në sjelljen e titujve të ri, në mënyrë që biblotekat e shkollave t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat e nxënësve”, ka shtuar ai.
Në kuadër të këtij projekti parashihet furnizimi më lektyrë shkollore i 37 shkollave fillore dhe të mesme të ulëta me 62 tituj dhe 20 mijë ekzemplarë librash.
Ndërsa, tri shkollat e mesme të larta do të furnizohen me 50 tituj me nga 200 ekzemplarë, gjithsej 10 mijë libra./Llapi.info






