Dega e LDK-së në Podujevë ka akuzuar kryetarin e Komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për punësime partiake nëpër drejtori të shkollave, raporton Llapi.info.
“Ndonëse në fushatë premtonte mrekulli, punën e parë që e bëri në komunë ishte sulmi ndaj pavarësisë së shkollës shqipe. Në kundërshtim me ligjin, ai anuloi vendimet për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme të komunës sonë. Edhe pse zgjedhja e drejtorëve dhe konkursi ishin transparentë dhe konform legjislacionit në fuqi, Bulliqi e anuloi atë me qëllim të revanshit ndaj atyre që dëshirojnë të kryejnë punën me nderë, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Qëllimi i Bulliqit është i dukshëm dhe i qartë. Ai dhe partia e tij e re, e treta me radhë për tri vite, po synojnë që të cenojnë pavarësinë e shkollës shqipe duke tentuar të instalojnë në drejtori të shkollave militantë partiakë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Tutje në reagimin e LDK-së është thënë se gjithë kjo situatë me këto punësime do të zgjasin deri në vjeshtën e vitit 2021.
“Llapjanëve ju mjaftuan pesë ditë, jo më tepër, për të parë synimin e vërtetë të Bulliqit dhe partisë së tij. Logjika e tyre politike është e bazuar në paranoja ndaj çdokujt që nuk i përkulet liderit të tyre. Ata nuk kanë koncept politik shërbimin ndaj qytetarëve, por përuljen dhe sundimin e tyre. Atyre nuk ju mjafton vetëm të jesh i dëgjueshëm, kërkojnë t’i nënshtrojnë qytetarët, dhe këtë e kemi vërejtur edhe në 50 ditëshin e qeverisjes së tyre në nivel qendror. Logjika që nëse nuk i bindesh liderit tonë je armik dhe tradhtar, nuk i përket kulturës politike as në Llap dhe as në Kosovë. Tendenca për të cenuar pavarësinë e shkollës shqipe është e dështuar”, thuhet tutje./Llapi.info






