Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot ka nxjerr vendimin e parë, sipas të cilit administrata komunale e organizon punën për shërbim të pa ndërprerë për qytetarët gjatë tërë orarit të punës, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, njofton Llapi.info.
“Me qëllim të krijimit të kushteve për ofrim të pandërprerë të shërbimeve për qytetarë. Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që sektorët dhe shërbimet përkatëse të punëve me palë të riorganizojnë punën dhe orarin e punës, në mënyrë që këto shërbime të kryhen pa ndërprerë nga ora 8:00 deri në orën 16:00, gjatë ditëve të punës”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.
Në bazë të këtij vendimi drejtorët e drejtorive përkatëse në bashkëpunim me Zyrën e Personelit bëjnë riorganizimin e orarit të punës sipas këtij vendimi, i cili hyn në fuqi ditën e nxjerrjes./Llapi.info






