Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës ka vendosur që të mos zhvillohet procesi mësimor të hënën, më 30 nëntor, në të gjitha shkollat e kësaj komune, raporton Llapi.info.
Deri tek ky vendim ka ardhur pasi të dielën (nesër) në këtë komunë do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës.
Sipas këtij vendimi, arsye që të mos ketë mësim në këtë ditë është cekur rreziku i përhapjes së virusit korona.
“Të nderuar drejtorë të shkollave në Komunën e Podujevës. Meqë të dielën mbahen zgjedhjet për Kryetar Komune, të hënën, më dt.30/11/2020, nuk do të mbahet mësim në shkollat e Komunës së Podujevës, për shkak se nuk dëshirojmë t’i rrezikojmë nxënësit (frekuentimi i shkollës nga votuesit paraqet rrezik potencial të përhapjes së virusit covid-19), deri në dezinfektimin e të gjitha hapësirave të shkollave”, thuhet në vendimin që ka siguruar Llapi.info, e që i njëjti është dërguar në adresë të drejtorëve të shkollave.
Qytetarët llapjanë nesër do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës së Podujevës.
Kandidatët për të parin e këtij qyteti janë: Nexhmi Rudari (LDK), Naim Fetahu (PDK) dhe Shpejtim Bulliqi (LVV).
Vendvotimet hapën në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00. Të drejtë vote kanë mbi 80 mijë qytetarë./Llapi.info






