Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së, Naim Fetahu, ka akuzuar qeverisjen aktuale të Komunës së Podujevës se tenderët po u jepen, sipas tij, njerëzve të LDK-së, njofton Llapi.info.
“Bizneset në Podujevë nuk janë trajtuara barabartë. Disa prej tyre kanë hequr dorë edhe prej konkurrimit në tenderë, pasi vec 1-2 kompani të afërta me pushtetin fitojnë tenderë. Kjo është një papërgjegjësi. Qysh ekziston mundësia që një kompani t’i fitojë 27 tenderë”, ka thënë ai.
Nënkryetari i Komunës së Podujevës dhe kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë se një kompani ka fituar 27 tenderë.
Por, vetë pronari i kompanisë “Bini”, Afrim Hajdari e pati pranuar për Gazetën Jeta në Kosovë se i ka fituar të gjithë këta tenderë.
Në emisionin “Debat” të RTK-së, Naim Fetahu i PDK-së po ashtu ka kritikuar kundërkandidatin e tij, njëherësh nënkryetar i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin për tenderët e dhënë gjatë pandemisë COVID-19.
“Gjatë kohës së pandemisë, një uniformë njëpërdorimshme është blerë nga komuna 15 euro, kurse në Deçan e njëjta është blerë 4 euro. 11 euro diferenca”, ka thënë Fetahu.
Në lidhje me këto akuza, Rudari s’i ka kontestuar këto çmime të larta, por ka përmendur komuna tjera të Kosovës që kanë blerë materiale për COVID-19. Por, në ato komuna nuk është cekur se është uniformë njëpërdorimshme./Llapi.info






