Lokale - eSIMy

Policia e Podujevës ka gjobitur qytetarët që s’i përfillin masat anti-covid, raporton Llapi.info.

Përgjatë vikendit, Policia në këtë qytet ka gjobitur mbi 350 qytetarë. Kështu thuhet edhe në njoftimin e Policisë së Kosovës.

 “Këto masa janë respektuar nga shumica e qytetarëve, falë ngritjes së vet përgjegjësisë qytetare, por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat dhe nga ana e zyrtarëve policorë gjatë ditëve të vikendit janë shqiptuar 357 tiketa ndaj personave të cilët nuk i kanë respektuar këto masa të parapara me ligji 07/L-006, si dhe janë dhënë 146 vërejtje”, thuhet në njoftim.

Policia ka apeluar te qytetarët për respektim të masave, në mënyrë që të ruhet shëndeti.

Në anën tjetër, të premten, në mbledhjen e shtabit emergjent komunal, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, majori Isak Ejupi, tha se zyrtarët policorë vazhdimisht janë në teren dhe po përkujdesen për zbatimin masave anti-Covid, në bazë të ligjit dhe vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Ejupi tha se brenda një muaji janë shqiptuar 496 gjoba ndaj personave që nuk kanë respektuar ligjin dhe masat për parandalimin e virusit korona.

Ndërkohë, aktualisht në këtë komunë aktivë janë edhe 438 persona me virusin korona, derisa 100 persona janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK./Llapi.info