Lokale - eSIMy

Partitë opozitare në Komunën e Podujevës i ka bërë thirrje Prokurorisë që t’i fillojë hetimet ndaj zyrës së prokurimit në këtë komunë, raporton Llapi.info.

Kjo thirrje është bërë pas gjetjeve të Auditorit të Përgjithshëm për shkeljet që janë bërë, e sipas këshilltarëve opozitarë, për këtë dikush duhet të jap përgjegjësi.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Fatmir Rudari, ka thënë se sipas raportit të Auditorit, Komuna e Podujevës i ka ekzekutuar dy pagesa nga Thesari në kategori të gabuara në vlerë prej 33,558 euro.

Ndërkaq, këshilltari i VV-së, Vendenis Lahu ka përmendur eliminimin e operatorëve ekonomikë më të lirë, sipas tij, në rastin e ndërtimit të trotuareve.

“Por kjo nuk është e tëra, kemi rastin e shkollës ‘Elfir Behrami’ në Metehi, ku Komuna ka përzgjedhur operatorin ekonomik më të lirë, por pastaj i ka akorduar shumë tjetër të parave në emër të punëve shtesë, gjë që e ka rritur vlerën e shpenzimeve për projektin në fjalë përtej asaj fillestare në emër të së cilës edhe e kishte fituar tenderin si ofertë më e lirë. ‘Trik’ i Komunës ky për ta favorizuar operatorin e preferuar”, ka thënë Lahu.

Thirrje që fillohen hetimet ndaj zyrës së prokurimit, më saktësisht ndaj zyrtarit Rasim Fejza, i ka bërë edhe këshilltari tjetër i PDK-së, Rafet Llapashtica në një konferencë për medie.

“35 mijë euro i ka paguar për mirëmbajtje të mobileve, ndërsa na sivjet kemi hyrë në objektin e ri të administratës. E kemi bërë publike edhe më herët videon ku shihet zyrtari ose menaxheri i prokurimit duke u përpëlit nëpër kafiteri që t’iu bëjë presion operatorëve ekonomikë që të hiqen nga gara. Kërkojmë që të gjitha këto raste edhë zyrtari i prokurimit Rasim Fejza të japin llogari”, ka thënë ai.

“Komuna e Podujevës po i mbanë 30 punëtorë me kontratë mbi vepër edhe pse e dimë që ligji nuk e lejon më shumë se 4 muaj brenda një viti. Ata duhet, nëse kanë nevojë që t’i punësojnë me kontrata të rregullta dhe të mos i lënë ashtu. Po e publikojmë sot një foto se si Komuna e Podujevës i shpërndan subvencionet në bujqësi, ku shihet sistemi ujitjes si ka përfunduar në arat e Shtedimit. Do të kërkojmë ngritjen e një komisioni për hetimin e subvencioneve se nga lista e publikuar del që asnjëri prej tyre nuk është bujk”, është shprehur Rafet Llapashtica.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj menaxherit të prokurimit publik në këtë komunë, Rasim Fejza, raporton Llapi.info.

Sekretari VV-së në këtë degë, Bahri Selimi, ka thënë se ky kallëzim penal ndaj këtij zyrtari ka të bëjë për kurdisjen e tenderëve dhe favorizimin që i bënë një kompanie e cila është e afërt me udhëheqësit e Komunës.

“Fejza në këto veprime ka bërë shkelje flagrante të rregullave të etikës dhe ligjit të prokurimit publik, duke bërë presion tek operatori ekonomik që të tërhiqet nga procesi i tenderimit, me kusht që tenderin ta marrë një person i preferuar i Rasim Fejzës edhe pse çmimi është më i lartë për më shumë se 6 mijë euro. Si kundërshpërblim, Fejza pronarit të operatorit ekonomik i premton punësimin e vajzës. Rasim Fejza thotë se e ka marrë bekimin e shefit të tij, kështu që bazuar në rregulloren, shefi i tij i bie që është kryetari i Komunës, atë kohë ishte Agim Veliu”, ka thënë ai.

Kujtojmë, në videon që pati publikuar VV është thënë se shkelja kishte ndodhur në vitin 2018./Llapi.info