Katër raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të hënën në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar Instituti, 1 rast është nga qyteti, e po ashtu me nga një rast në fshatrat; Llaushë, Llugë dhe Zakutë.
Si pasojë e rritjes së lakores më të infektuar, tashmë Komuna e Podujevës gjendet në zonën e kuqe. Aktualisht në këtë komunë janë rreth 300 raste aktive. Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.
“Sot janë konfirmuar 4 raste të reja pozitive me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht në këtë komunë aktivë janë 293 persona”, ka thënë Rama.
Epidemiologia e vetme në Podujevë ka thënë se edhe 232 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 1 mijë. Ndërkaq, janë raportuar 30 viktima, derisa rreth 700 qytetarë janë shpallur të shëruar.
Si pasojë e rritjes së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, ku bënë pjesë edhe Podujeva.
Në këto komunë, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar sot edhe 688 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 1.865 mostrave, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me COVID0-19, derisa numri i viktimave ka arritur në 833.
Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 236 pacientë, ndërsa raste aktive janë 11.431.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë infektuar 29.805 persona, prej të cilëve 833 kanë vdekur, ndërsa 17.541 janë shëruar./Llapi.info






