Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, ka zhvilluar sot një aksion përpara objektit të komunës, me ç’rast kanë kritikuar komunarët për mënyrën e dhënies së tenderit dhe marrjes së kredisë për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza, njofton Llapi.info.
Deputeti i VV-së, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka akuzuar partinë që udhëheq aktualisht me komunën, LDK-në, për keqpërdorim në tenderin për rregullimin e kolektorit të ujërave të zeza.
Ai ka thënë se për rregullimin e këtij kolektori qytetarët e Podujevës do të paguajnë kredi për 19 vite. Sipas tij, në këtë projekt janë shkelur të gjitha procedurat e prokurimit publik.
Bulliqi ka deklaruar se një kilometër e këtij gypi të kanalizimit, sipas tij, qytetarëve të kësaj komune është duke iu kushtuar rreth 600 mijë euro.
“Është fjala për një tender, i cili është shpallë në lidhje me kolektorin e ujërave të zeza për komunën e Podujevës. Për me mujt me rregullu këtë kolektor komuna e Podujevës ka marrë një kredi nga austriakët, kredi që qytetarët llapjan do ta paguajnë për 19 vite të ardhshme. Dhe fatkeqësisht ky tender sikur edhe tenderët tjerë edhe sot e kësaj dite nuk kanë bërë transparencën para qytetarëve. Nuk dihet se sa është buxheti i saktë i këtij projekti, nuk dihen parallogaritë e këtij projekti dhe kush është fitues i këtij projekti. Sipas informatave që kemi i është dhënë vetëm një operatori, pa e shpallur publikisht dhe meqë ka qenë kredi ndërkombëtare është dashur që edhe tenderi me qen ndërkombëtar”, ka thënë ai./Llapi.info






