Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë nëpërmjet një aksioni kanë kritikuar komunarët për mosndërtimin e palestrës së premtuar sportive, njofton Llapi.info.
Deputeti i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës nga kjo parti ka thënë se Komuna ka hyrë në borxhe ndaj kompanisë me të cilën ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e palestrës sportive në ish-pronat e ndërmarrjes “Fapol”.
“Sot jemi këtu pranë kësaj hapësire publike me rastin e trevjetorit të nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e palestrës së sportit. Bashkë me aktivistët e Lëvizjes kemi ardhur sot për të luajtur një ndeshje basketbolli. Mirëpo, kur erdhëm këtu e pamë që palestra lëre që nuk është ndërtuar, por as që ka nisur ndërtimi i saj, përkundër që kjo ishte premtuar nga ish-kryetari Veliu në fushatën zgjedhore të vitit 2017, siç mund ta shihni edhe në banerin e prezantuar nga aktivistët tanë”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.
Sipas Bulliti, Komuna e Podujevës pati publikuar njoftimin për kontratë në ndërtimin e kësaj palestre qysh në vitin 2017 në vlerë prej mbi 2 milionë euro.
“Në njoftim për kontratë parashihej që ndërtimi të kryhej për 36 muaj, gjithsej 3 vite. Sot kur jemi këtu, sipas kontratës do të duhej që pikërisht tani të përfundohej ndërtimi dhe të prehej shiriti i kësaj palestre sportive. Mirëpo, siç po e shohim 36 muaj pas, ndërtimi i saj as që ka ndodhur. Ndërkohë që komuna vazhdon heshtjen e këtij skandali. Afati i kontratës ka skaduar, por palestra nuk është ndërtuar.Prandaj, nga kjo mund t’ju them se Komuna jonë është në njëfarë forme në borxh ndaj kontraktorit i cili e ka fituar tenderin dhe e ka nënshkruar kontratën. Dhe ai kontraktor në çdo fazë e ka të drejtën që komunës tonë t’ia kërkojë mjetet, për faktin që Komuna jonë e ka shpallë tenderin, e ka njoftuar për kontratën, e ka dhënë kontratën dhe njëkohësisht nuk ka krijuar kushte që kompania në fjalë, e cila e ka fituar këtë kontratë në vlerën mbi 1 milion e 800 mijë euro, t’i krijohen kushte për të filluar punimin e saj”, ka thënë ai.
Duke pasur parasysh situatën aktuale me COVID-19 që po mbretëron në Kosovë, Bulliqi tha se ka pasur periudha edhe më të përshtatshme për zgjedhje, porse shtoi se në vendet tjera janë mbajtur zgjedhje pavarësisht pandemisë.
Bulliqi shtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi u ka mundësuar serbëve të mbajnë zgjedhjet në Kosovë, derisa nuk e ka mundësuar një gjë të tillë për llapjanët./Llapi.info






