Lokale - eSIMy

Gjashtë raste të reja me koronavirus janë regjistruar sot në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar IKSHPK, 2 raste janë nga qyteti dhe fshati Llapashticë e Poshtme dhe me nga një rast në fshatrat Batllavë dhe Lupç i Poshtëm.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama, në mbledhjen e shtabit të mbajtur sot, ka thënë se gjendja me pandeminë aktualisht është e menaxhueshme, pavarësisht shtimit të numrit të rasteve.

Rama ka theksua se deri më tani, që nga paraqitja e pandemisë COVID-19 në mars të këtij viti, në komunën e Podujevës janë infektuar gjithsej 954 persona. Prej tyre, 679 janë shëruar, 248 raste janë aktive, kurse 27 persona kanë ndërruar jetë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, tha se deri tani procesi mësimor është duke u zhvilluar sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shëndetësore. Sipas tij, nga 114 testimeve të kryera tek personeli arsimor, 31 punëtorë arsimorë kanë rezultuar pozitiv, ndërsa tek nxënësit, prej 98 testimeve, 23 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Vetëm përgjatë tri ditëve, në Llap janë regjistruar rreth 70 raste të reja pozitive për COVID-19. Për këtë, në këtë mbledhje është kërkuar që të respektohen në mënyrë strikte masat anti-covid.

“Shtabi Emergjent apelon dhe iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Podujevës, që t’i respektojnë masat anti-Covid, sepse vetëm kështu do ta luftojmë pandeminë. Përndryshe Komuna e Podujevës si një ndër komunat me numër më të lartë infektuarve gjatë ditëve të fundit, mund të përballet me masë të karantinimit, apo izolim të qytetit”, ka njoftuar Komuna.

Në anën tjetër, pesë viktima dhe 596 raste të reja me koronavirus u konfirmuan të martën në Kosovë.

Instituti tha se në 24-orëshin paraprak, 136 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 25,388. Prej tyre, 773 pacientë kanë vdekur dhe 16,362 janë shëruar. Ndërkaq, raste aktive, sipas IKSHPKs-ë, janë aktualisht edh 8,253./Llapi.info