Në Komunën e Podujevës, të dielën, është regjistruar numri më i madh i raste të reja ditore. Për 24-orë, 39 llapjanë kanë rezultuar pozitivë për virusin korona, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar IKSHPK, 21 raste janë në qytet, me nga dy raste në fshatrat; Sfeçël, Gllamnik, Konushec, Majac dhe me nga një rast në fshatrat; Batllavë, Bradash, Dobratin, Kërpimeh, Letanc, Llaushë, Orllan, Shajkoc, Zakutë dhe Surkish.
Si pasojë e rritjes së rasteve ditore, numri i personave aktivë ka shkruar në rreth 200.
Që nga fillimi i pandemisë, në këtë qytet, janë testuar rreth 3.000 persona. Prej tyre, rreth1 mijë llapjanë kanë rezultuar pozitivë.
Rasti i parë në këtë komunë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar 26 viktima, ndërkaq rreth 700 janë shpallur të shëruar.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se brenda 24 orëve, 11 pacientë me koronavirus kanë vdekur dhe janë regjistruar 730 raste të reja me këtë virus.
Sipas raportit të IKSHPK-së, rastet e reja dalin pas testimit të 1,794 mostrave. Në 24 orët e fundit, 75 pacientë janë shëruar nga sëmundja COVID-19.
Që prej marsit të këtij viti, e deri më tetë nëntor, Kosova ka regjistruar 24.155 raste me koronavirus. Prej tyre, 755 pacientë kanë vdekur dhe 16.122 janë shëruar, ndërkohë që raste aktive janë edhe 7.278.
Si pasojë e rritjes së lakores së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit. Me këtë rast, edhe Komuna e Podujevës është futur në karantinë gjatë këtij vikendi./Llapi.info






