Skuadra e Llapit ishte tejet e zëshme pas ndeshjes me Dritën – pasi klubi nga “Zahir Pajaziti” pretendoi se është dëmtuar në disa raste nga gjyqtari Visar Kastrati në atë duel, duke mos iu akorduar dy penallti.
Llapi humbi duelin e xhiros së 10’të ndaj Dritës me rezultatin 1:2.
Pas shumë debateve dhe ankesave, kryetari i FFK’së, Agim Ademi sot ka ftuar në takim trajnerin e Llapit, Tahir Batatinën – ku në prezencën e kryetarit të referëve i premtoi trajnerit llapjan se akte të tilla nuk do të ndodhin në të ardhmen.
Tahir Batatina, trajneri i Llapit në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ ka folur në lidhje me atë takim – ku tha se iu premtua se gjyqtarët do të marrin dënime nga më të ashprat në rast se do të shohim skena të tilla në ndeshjet e ardhshme të Superligës së Kosovës.
Batatina gjithashtu potencoi se sot ka mbajtur një takim me lojtarët e tij – pasi këta të fundit janë shumë të mërzitur me ndodhinë e fundit.
“Sot pas përfundimit të takimit që kisha në Federatën e Futbollit në Kosovë – kam shkuar direkt tek skuadra, tek pjesa e parë e analizës me skuadër. Unë e njoftova skuadrën që sot isha në takim dhe kam marrë zotim që nga sot do të ndryshojë gjithçka rreth ecurisë së arbitrimit. I thashë lojtarëve që duhet ta bëjnë punën e tyre, ju duhet ta jepni maksimumin, i thashë që dje e kemi humbur një ndeshje, por s’e kemi humbur pjesën morale, pasi moralisht e kemi fituar takimin. Gjithë opinioni e ka parë këtë dhe tani ne duhet të rikthehemi të punojmë, ndërsa referimin do t’ia lëmë FFK’së”, tha fillimisht Batatina për ‘GazetaBlic Sport’.
“Ju thashë poashtu lojtarëve që sa do të jeni pjesë e Llapit s’është me rëndësi se a do të fitojmë trofe apo jo. Llapit do t’ia sillni trofeun me mund e me djersë dhe jo në asnjë mënyrë tjetër, nuk na duhet kupa ose titulli që do ta kemi në zyret e Llapit me zhurmë e jo-korrektësi, e sidomos kur klubet tjera s’na urojnë. Lojtarët sot kanë qenë të mërzitur, por pas këtij lajmi u gëzuan dhe tani na mbetet të punojmë në fushën e gjelbërt”, përfundoi ai.
Vlen të theksohet se Llapi këtë javë do të luajë ndaj Gjilanit si mysfir – në ndeshjen e xhiros së 11’të të Superligës së Kosovës.






