Java e fundit e muajit tetor në qytetin e Podujevës ka përfunduar me incidente të shumta, raporton Llapi.info.
Përgjatë kësaj jave që tashmë lamë pas, ndodhën rrahje, aksidente, dhunë në familje e vjedhje të ndryshme. Për vetëm pak ditë, katër raste të rrahjeve u raportuan në këtë qytet. Rastet i ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Është raportuar se viktima i mitur mashkull kosovar ka kërkuar tretman mjekësor për shkak të lëndimeve që i kishte marrë nga një mjet i mprehtë – thikë. Pas marrjes së ndihmës së parë viktima është dërguar në QKUK për tretman të mëtejmë mjekësor. Lidhur me rastin në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar i dyshuari i mitur mashkull kosovar. Njësitë policore janë duke e hetuar rastin dhe nuk raportohet për ndonjë person të arrestuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Por, një rrahje tjetër më brutale ndodhi në oborrin e shkollës së mesme të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”. Atje përleshja ishte më masive, ku edhe s’munguan therjet me thikë.
Nga kjo përleshje, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Lajmin e ka konfirmuar sot edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rr. “Xhemajl Mustafa”, Podujevë 29.10.2020-10:22. Raportohet për një përleshje fizike në mes të tetë personave meshkuj kosovarë (të mitur). Si pasojë e përleshjes dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar pesë të dyshuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit një dërgohet në mbajtje ndërsa të tjerët lirohen në procedurë të rregullt”, ka thënë ajo.
Dy ditë më vonë ndodhi një përleshje tjetër, kur mbetën të lënduar dy persona, ndërkohë që nga po kjo rrahje një polic u kanos.
Ndërkohë, përveç këtyre rasteve, në Podujevë u regjistruan për një javë edhe dy vjedhje të rënda. Sipas Policisë së Kosovës, një gruaje u janë vjedhur dy kuleta/
“Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë 31.10.2020 – 16:10. Ankuesja femër Kos. ka raportuar se deri sa ka qenë duke ecur në rrugën e lartcekur, tre persona te rinj iu kanë ofruar dhe njëri prej tyre ia ka marrë nga dora dy kuleta (njëra kuletë e kunatës së saj)”, ka thënë Policia e Kosovës./Llapi.info






