Që nga hyrja në fuqi e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, e deri më tani në Podujevë janë shqiptuar 1 mijë e 168 gjoba për shkelësit e tyre, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë sot komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Zogiani, në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB).
Zogiani tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë. Ai raportoi për gjitha rastet veprave të ndryshme të raportuara në polici gjatë muajit të fundit.
Duke folur lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë Covid-19 në Komunën e Podujevës, nënkryetari Rudari tha se shqetësuese është rritja e rasteve me këtë virus ditëve të fundit.
Ndërkaq, Drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi, tha se deri tani në QKMF në Podujevë janë marrë 2,700 mostra testesh për Covid-19. Ndërsa, tha se po hyjmë në një periudhë të rritjes së rasteve, duke përmendur faktin se në raportin e fundit të IKSHPK, ditën e enjte, del se nga 11 mostra të marra në Komunën e Podujevës 7 raste kanë rezultuar pozitivë. Sipas drejtorit Thaçi, nga 54 raste aktive vetëm një person i infektuar është i hospitalizuar.
Në anën tjetër, deri më tani në Podujevë katër mësimdhënës dhe 3 nxënës kanë rezultuar pozitivë për koronavirus./Llapi.info






