Lokale - eSIMy

Në Komunën e Podujevës janë regjistruar sot edhe dhjetë raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.

Sipas ISKHPK-së, 3 raste janë në qytet, 3 në fshatin Sfeçël, 2 në fshatin Lupç i Epërm dhe 2 në fshatin Llapashticë të Epërme.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama për Llapi.info ka theksuar se numri i personave aktivë në këtë komunë tashmë ka arritur në 29.

“10 raste të reja kanë dalë sot pozitivë për COVID-19 në Podujevë. Aktualisht aktivë janë 29 persona. Numri i të shëruarve ka arritur në 584, kurse deri më tani pozitivë kanë dalë 633 llapjanë”, ka thënë Rama.

Epidemiologia Rama ka theksuar se edhe 19 qytetarë janë pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja, derisa ka thënë se që nga fillimi i pandemisë janë testuar rreth 2650 persona.

Më tej Rama ka thënë sot kanë dalë mostrat të shtatë nxënësve dhe dy mësimdhënësve në këtë komunë, teksa të gjithë kanë rezultuar negativë për COVID-19.

Rasti i parë në këtë komunë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar 20 viktima.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se në 24 orët e fundit ka regjistruar 80 raste të reja pozitive me koronavirus, pas testimit të 650 mostrave.

Bazuar në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me virusin korona në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16.425. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 1.315./Llapi.info