Deputeti i Lëvizje Vetëvendosje, Fitim Haziri në seancën e raportimit të kryeministrit Hoti në 100-ditëshin e Qeverisë, ka thënë se qeverisja aktuale, sipas tij, është e dobët dhe jolegjitime, shkruan Llapi.info.
Në këtë seancë, deputeti i VV-së ka thënë se nga kjo qeveri nëpër institucione të rëndësishme janë vendosur njerëz, që sipas Hazirit, nuk janë adekuatë.
“Juristët u bënë ministra të Shëndetësisë, shefat e Listës Serbe zëvendëskryeministra, zëvendësministrat e Arsimit u vendosën persona pa diploma, e Ministria e Punëve të Brendshme udhëhiqet nga një person i papërgatitur. Do të mbahet mend si qeveria që këshillohet nga të dyshuar për trafikim me drogë, me ministra që i japin tenderë kompanisë së tij në vlerë prej 5 milionë eurosh. Do të mbaheni mend si qeveria që në momentet më kritike për shëndetësinë kosovare, e keni vendosur në krye të këtij institucioni një person që mund të jetë gjithçka përveç menaxher i duhur për shëndetësinë kosovare”, tha Haziri.
Më tej, Haziri në këtë seancë ka përmendur edhe punët që kanë nisur shumë kohë më parë nga qeverisja e LDK-së në Podujevë, por që sipas tij, nuk janë funksionalizuar asnjëherë.
Për këtë, Haziri ka thënë se Spitalit të Podujevës i është prerë shiriti disa herë, për të cilin ka akuzuar ish-kreun e Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
“Mentalitet tipik LDK. Me premtime të kota. Për çdo vit e premtoni funksionalizimin e spitalit të Podujevës, të cilit deri tash Agim Veliu ia ka prerë shiritin nja 10 herë. I njëjti në maj të vitit 2018 po e jepte lajmin e madh se Podujeva u bë me spital. Po e citoj statusin që kishte shkruar ndër të tjera Veliu më 23 maj 2018: “Kam kënaqësinë ta ndaj me ju lajmin e shumëpritur, se sot ka filluar funksionimi i Spitalit të Podujevës…”. I njëjti sivjet më 8 shtator shkruan: “Me ministrin Zemaj, kryetarin Rudari dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi, biseduam për funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës dhe ndërtimet shtesë të parapara sipas planprojektit”. A t’i besohet deklarimit të tij para dy vjetëve a tash? Unë them as atëherë as tash, sepse në të gjitha herët këta vetëm mashtrojnë”, ka thënë ai./Llapi.info






