Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka reaguar pasi kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se i kanë hequr vijat e kuqe me partinë e Kadri Veselit, PDK.
Haziri, në një reagim në Facebook, ka ironizuar me këtë deklaratë, derisa ka thënë se vijat e kuqe të LDK-së as që kaën ekzistuar më parë me PDK-në.
“Lidhja Demokratike nuk i ka hequr vijat e kuqe ndaj PDK-së, sepse nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Në secilin mandat që LDK ka qenë pjesë e Qeverisë, afër saj ka qenë edhe PDK. Sepse janë të njejtë në trajtimin e shtetit, parasë publike e mentalitetit qeverisës. Vijë të kuqe, LDK nuk ka pasur për asgjë. Çkado që kanë thënë nuk e bëjmë, e kanë bërë. Shumica dërmuese e vendimeve të tyre, kanë qenë në kundërshtim me premtimet ndaj elektoratit. Për më keq, shumica prej veprimeve të tyre, kanë qenë në dëm të qytetarëve e për përfitime personale – ashtu siç po tentojnë ta bëjnë riformatimin e qeverisë. Zullumi këputet duke u trashur, dijeni”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje./GazetaBlic






