Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, sot në Kuvend sërish i është kthyer temës së shkarkimit të tij nga ish-kryeministri Kurti.
Ai duke iu drejtuar deputetëve të Vetëvendosjes tha se me shkarkimin e tij u shkarkuan të gjithë, njofton Klan Kosova.
“Është e vërtetë që Kurti më ka shkarkuar, por u shkarkuam të gjithë”.
Debati nuk përfundoi këtu.
Rexhep Selimi nga VV i tha se shkarkimi i tij ishte ndër punët më të mirë që i ka bërë Qeveria Kurti derisa i tha se ishte edhe i paaftë.
“Je shkarkuar, jo për mustaqet që i mban, por që ke qenë i paaftë. Shkarkimi yt është ndër punët më të mira që ka bërë Kurti”.
Veliu sërish shfrytëzoi foltoren për të replikuar ndaj Selimit.
“Unë kam mustaqe, por s’jam i pafytyrë si ti”.
Këto replika filluan për temën e kazinove në fshatin Karaçevë, për të cilat Veliu tha se kanë funksionuar gjatë gjithë qeverisjeve.
“Është e vërtetë që një numër i kazinove funksionojnë në Karaçevë. Një numër i tyre janë ndërtuar edhe ne Qeverinë Kurti. Në shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëjmë operacion në Karaçevë që ta ndalojmë veprimtarinë. Çështja e problemit me kufij me Serbinë në është çështje që daton nga viti 1999 dhe i ka përcjellë të gjitha qeveritë e deritanishme, s’është prej 7 gushtit e këndej. Mandati i sigurisë me kufirin me Serbinë është ende mandat i KFOR-it”.
Ndërkaq, për hyrjes e ushtarëve serbë në fshatin e Karaçevës, Veliu tha se të tilla probleme kanë ndodhur shumë herë.
“Incidenti në këtë vijë kufitare s’është i vetmi. Prej 1 janari 2008 deri më 14 gusht 2020 kanë qenë 19 raste të tilla të shkeljeve të ndryshme që kanë të bëjnë më vijën kufitare”.






