Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili është nga radhët e AAK-së, është duke proklamuar teza se kryeministri Avdullah Hoti, do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik.
Sipas Mustafës kjo është një ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme.
“Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po ipen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës”.
“Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar”.
“Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe përmbajtjesore me partnerët e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe t’i besojmë që ai ta kryej detyrën e tij”.
“Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme”.
“Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.






