16 punëtorë shëndetësorë në Komunën e Podujevës deri më tani janë konfirmuar pozitivë për COVID-19, raporton Llapi.info.
Në mesin e tyre pozitivë për virusin korona janë konfirmuar mjekë, infermierë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë të QKMF-së. 14 prej tyre janë shpallur të shëruar, ndërkohë që dy të tjerë janë ende aktivë me këtë virus.
Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.
“Deri më tani në Podujevë pozitivë për COVID-19 janë konfirmuar 16 punëtorë shëndetësorë, 2 prej tyre janë ende aktivë. Prej tyre, 7 mjekë dhe 4 infermierë të QKMF-së”, thotë Rama.
Ndërkaq, përveç institucioneve shëndetësore, me COVID-19 janë infektuar edhe zyrtarë policorë, si dhe zyrtarë komunalë.
Në këtë komunë, sot është konfirmuar vetëm një rast pozitiv me koronavirus. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, rasti i ri është nga fshati Lupç i Poshtëm. Aktualisht në Podujevë janë edhe 70 raste aktive.
Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama ka theksuar se numri i rasteve me fatalitet ka arritur në 18, pasi gjatë ditës së djeshme është regjistruar edhe një viktimë me COVID-19.
Rasti i parë pozitiv me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Që nga atëherë, rreth 1.800 persona janë testuar, ndërkohë që prej tyre rreth 600 kanë rezultuar pozitivë, kurse janë shpallur të shëruar mbi 460 pacientë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar shtatë viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 581.
Sipas të dhënave të këtij Instituti të hënën janë regjistruar edhe 107 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 2.832.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 14,446 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info






