Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, që nga themelimi i tyre kanë ftuar dhjetëra ish-ushtarë të UÇK-së, për t’u intervistuar në cilësi si dëshmitarë dhe të dyshuar, shkruan GazetaBlic.
Intervesitimi i tyre po vazhdon të bëhet nga prokurorët ndërkombëtarë, gjersa pyetjeve të tyre s’u kanë shpëtuar as figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që të njëjtit janë pjesë e institucioneve kryesore të Kosovës.
Së fundi, ftesë ka marrë edhe ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku. Ky i fundit do të udhëtojë për në Hagë për intervestim më 28 të këtij muaji, në cilësinë e të dyshuarit.
Këtë e ka konfirmuar vetë Çeku në një bisedë për GazetaBlic.
“Po, është e vërtetë. Ftesa më ka ardhur nga Gjykata Speciale gjatë ditës së djeshme dhe do të udhëtojë me 28 Shtator”, ka thënë shkurt Çeku.
Para gjyqtarëve për orë të tëra janë intervistuar edhe figura kyçe të politikës kosovare. Ndër ta janë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e po ashtu edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të cilëve aktakuza u është paraqitur më 24 prill të këtij viti.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi u intervistua për katër ditë rresht, gjegjësisht për 25 orë.
Në Hagë është paraqitur edhe Kadri Veseli. Për dallim nga Thaçi, intervistimi i Veselit zgjati më pak, ndërkohë që ai është paraqitur në Gjykatë Speciale më 10 dhjetor të vitit 2019.
Ftesës nga Gjykata Speciale s’i shpëtoi as ish-kryeministri Ramush Harandiaj, ftesë kjo e cila ndikoi ai që të jep dorëheqje si shef i ekzekutivit. Haradinaj është paraqitur në Dhomat e Specializuara më 24 korrik për t’u marrë në pyetje. Ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, shpeshherë është shprehur se s’pret ndonjë aktakuzë nga Specialja, ndërkohë që ka deklaruar se edhe përballjeve tjera më drejtësinë ndërkombëtare ka dalë i pafajshëm. Haradinaj në Gjykatë ishte mbrojtur në heshtje.
Po në atë ditë, edhe ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare, Jakup Krasniqi, ishte paraqitur në Speciale, i cili po ashtu ishte mbrojtur në heshtje.
Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa (Remi), ishin ndër të parët komdandantë që u paraqitën përpara prokurorëve të Specialës. Lushtakut, intervistimi i zgjati plot pesë orë, derisa i njëjti është intervistuar si dyshuar. Për dallim nga Lushtaku, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit (ZOLL), Rrustem Mustafa është marrë në pyetje si “dëshmitar i dyshuar”. I njëjti ishte intervistuar me pauza për rreth 17 orë.
Sylejman Selimi u intervistua më 6 shkurt të vitit të kaluar nga Specialja. Ai u ftua në cilësinë e të dyshuarit teksa marrja në pyetje e tij nuk zgjati më shumë se një orë.
Kjo listë e të ftuarve është akoma duke u zgjeruar me ftesa të tjera nga Gjykata Speciale.
Duhet potencuar se Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë. Aktakuzat e para u paraqitën në gjykatë në shkurt, e më pastaj edhe në prill.
Aktakuza kundër presidentit të Kosovës, Thaçi, e cila u paraqit në prill, aktualisht është duke u shqyrtuar. Gjyqtari francez i procedurës paraprake, Nicollas Guillou ka afat që deri më 24 tetor të marrë një vendim për konfirmimin ose hedhjen poshtë të kësaj aktakuze.
Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar ose hedhur poshtë publikisht.
Pas paraqitjes së saj, gjyqtari ka kohë gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Gjykata Speciale është formuar më 3 gusht 2015. Formimi i saj ka ngjallur paknaqësi, derisa shumë deputetë janë shprehur pro shfuqizimit të saj.
Kujtojmë, 43 deputetë në dhjetor të vitit 2017 ndërmorën një nismë për thirrjen e një seance për shfuqizimin e kësaj gjykate, por një gjë e tillë u ndërpre pas reagimit të bashkësisë ndërkombëtare./GazetaBlic






