Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Fitim Haziri, ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Ky reagim i Hazirit vjen pas shkrimit të mediumit amerikan ‘Bloomberg’ që e ka nxjerrë Kosovën si shtetin i cili renditet në vendin e parë në botë për raste të vdekjeve nga COVID-19 për 1 milion banorë në periudhën nga 19 deri më 26 gusht.
Deputeti Haziri ka thënë se sukseset e pretenduara nga qeveritarët, sipas tij, po demantohen me fakte nga organizatat kredibile.
“Mediumi amerikan “Bloomberg” e liston Kosovën, si vendin me numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19. Secila propagandë e kësaj qeverie lidhur me menaxhimin e pandemisë bien poshtë me fakte ndërkombëtare. Është e turpshme neglizhenca e këtyre analfabetëve me diploma, që marrin e ndajnë pozita në pazare partiake, politike e ekonomike. “Nuk ka lidhje që je jurist, atë duhet ta shpërblejmë me postin e ministrit të Shëndetësisë, se ia kemi borgj” – E borgj Kosova nuk u ka asgjë. Askush nuk iu ka borgj që ta katandisni shtetin deri në këtë pikë. Askush nuk ua pati borgj që ta vendosni shtetin tonë në toplistën e vendeve me menaxhimin më katastrofal të pandemisë”, thotë Haziri në postim.
“Është e frikshme komoditeti që e kanë krijuar këta persona koti, përball gjendjes në të cilën jemi. Me gjithë këto vdekje, problemi më i madh për ta janë postet: kush po bëhet president, e kush tjetër po i punëson në qeveri militantët e tij. Këta keqpërdorues që çdo ditë flasin për sukses në menaxhimin e pandemisë, e demantohen me shifra e fakte zyrtare nga organizata kredibile, e që flasin për rimëkëmbje ekonomike, teksa në secilën ditë të kaluar, gjendja financiare e qytetarëve po shkon duke u rënduar – duhet të ecin. Këta njerëz të kotë, që flasin kot, e nuk punojnë asgjë, duhet të shkojnë sa më parë. Çdo ditë e kaluar me ta në pushtet, është një hap mbrapa për vendin tonë, si në menaxhim të pandemisë, ashtu edhe atë ekonomisë, politikës e gjithçka tjetër”, thotë ai.
Mediumi amerikan ‘Bloomberg’ e ka renditur Kosovën si shtetin e parë në botë me numrin më të lartë të vdekjeve me COVID-19 për 1 milion banorë.
“Vendi me vdekjet më të mëdha në botë nga koronavirusi aktualisht është Kosova”, thuhet në artikullin e mediumit prestigjioz amerikan.
Për këto statistika, kanë reaguar edhe deputetë tjerë të kësaj partie./Llapi.info






