Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ka vizituar sot Komunën e Podujevës, ku është mirëpritur nga nënkryetari Nexhmi Rudari, njofton Llapi.info.
Me rastin e kësaj vizite, Dumoshi dhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari kanë nënshkruar memorandumin për përfundimin e fushave sportive në fshatin Kërpimeh, të cilat janë investim i MKRS-së në vlerë prej 25.000 euro, projekt ky që do të implementohet gjatë vitit 2020.
“Ishim sot, në Podujevë për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin, Nexhmi Rudari për fushat sportive në Kerpimeh, në vlerën prej 25.000. Ndihem shumë e lumtur, që po finalizohen edhe punimet në stadiumin e qytetit të Komunës së Podujevës, gurëthemelin e të cilit e vendosëm bashkë me legjendën e futbollit, Fadil Vokrri dhe ish-kryetarin Veliu, në qeverisjen e ish-kryeministrit Mustafa”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.

Vizitën në Podujevë, Ministrja Dumoshi e vazhdoi bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj me të cilin shpërndau maska në kuadër të projektit “Be with us”, projekt ky i mbështetur nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, UNICEF dhe organizata PEN.
Nga kjo komunë, Ministri Zemaj ka thënë se së shpejti do të marrin edhe ndihma të reja nga UNICEF. Ai ka shtuar se do t’i sigurojnë pajisje mbrojtëse profesionale me mbi 30 ton si dhe nga Japonia ndihmën e radhës me medikamente për Sars Covid-19./Llapi.info








