Lokale - eSIMy

12 punëtorë shëndetësorë deri më tani kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Pesë prej tyre ende janë aktivë, kurse 7 të tjerë janë shëruar gjersa sot një infermiere ka dalë pozitiv me virusin korona. Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama. Sipas Ramës, në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe 2 mjekë.

Siç ka mësuar portali, përveç institucioneve shëndetësore, me COVID-19 janë infektuar edhe zyrtarë policorë, si dhe zyrtarë komunalë.

Ndërkaq, sot janë konfirmuar 13 raste të reja në këtë komunë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, me nga 2 raste janë në qytet, Shajkoc, Gllamnik, Llapashticë e Epërme dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Metehi, Lupç i Poshtëm, Dobratin dhe Katunishtë (Velikorekë).

Deri më tani në Podujevë janë raportuar për 14 raste me fatalitet, ndërkohë që aktualisht aktivë me virusin korona janë edhe 127 persona.

Që nga rasti i parë pozitiv më 15 mars, deri më tani në Podujevë pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar rreth 500 llapjanë, derisa më Klinikën Infektive dhe QKMF-në e Podujevës janë testuar gati 1500 qytetarë.

Kujtojmë, rasti i parë në Llap ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë./Llapi.info