Vetëm një rast i ri me COVID-19 është regjistruar të enjten në qytetin e Podujevës, i cili është konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton Llapi.info.
Krahas këtij rasti pozitiv, sot janë shpallur të shëruar edhe 20 pacientë llapjanë, duke çuar në total numrin e të shëruarve në 321. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama.
Sipas Ramës, zyrtarisht autoritetet shëndetësore në këtë komunë janë të njoftuar për 14 raste me fatalitet, dy raste të tilla ndodhen gjatë së mërkurës.
“Sot janë shpallur të shëruar 20 pacientë nga Komuna e Podujevës. Po ashtu, sot është konfirmuar një rast pozitive me COVID-19, kurse aktualisht i kemi 123 raste aktive. Jemi në pritje të rezultateve edhe për 24 qytetarë”, ka thënë Rama.
Që nga rasti i parë pozitiv më 15 mars, deri më tani në Podujevë pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar 458 llapjanë. Në Klinikën Infektive dhe QKMF-në e Podujevës janë testuar rreth 1500 qytetarë.
Ditë më parë, në mbledhjen e shtabit emergjent, komandanti i Stacionit Policor në Komunën e Podujevës, Bekim Zogiani ka thënë se zyrtarët policorë janë vazhdimisht në terren për të monitoruar gjendjen rreth respektimit të masave dhe rekomandimeve nga IKSHPK dhe MSH.
Zogiani në këtë mbledhje ka konfirmuar se numri i gjobave (fletëparaqitjeve) për qytetarët që s’i respektojnë masat parandaluese çdo ditë është në rritje.
Siç mëson Llapi.info, pronarë të bizneseve janë gjobitur për mosrespektimin e masave anti-covid, kurse inspektorati dhe PK kanë ndërhyrë edhe në organizimet për pritjen e të pameve (ngushëllimeve).
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në Kosovë, në raportet ditore për situatën epidemiologjike, njoftoi se të enjten, janë regjistruar edhe 13 raste të vdekjeve nga koronavirusit i ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 438.
Sipas IKSHPK-së, po të enjten janë konfirmuar edhe 158 persona pozitivë me COVID-19, pas testimit të 471 mostrave. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 245 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 7.929 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.639.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 12.006 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info






