Edhe dy persona të prekur me virusin korona kanë ndërruar jetë sot, duke çuar në total numrin e viktimave në Komunën e Podujevës në 14, raporton Llapi.info.
Dy rastet e fundit me fatalitet janë me nga një rast në fshatrat Llapashticë dhe Gllamnik. Njëri nga ta ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.
“Ka qenë i prekur me koronavirus, pasi ka rezultuar pozitiv para 10 dite. Po ashtu, sot ka ndërruar jetë edhe një person me COVID-19 nga fshati Gllamnik, duke bërë kështu që numri i viktimave në Podujevë të arrijë në 14”, ka thënë Rama.
Sipas saj, të gjithë këta kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Më tej, Rama ka theksuar se aktualisht në Podujevë aktivë me virusin korona janë edhe 142 persona. Gjatë javëve të fundit ka pasur rënie të rasteve të reja, e po ashtu rënie ka pësuar edhe numri i rasteve aktive.
Në QKMF sot edhe 24 qytetarë e kanë bërë testin për COVID-19, rezultatet e të cilëve pritet t’iu bëhen publike në ditët në vijim.
Rasti i parë në Podujevë ishte paraqitur më 15 mars. Që nga atëherë, në këtë komunë pozitivë kanë rezultuar 457 persona, kurse janë testuar mbi 1.400 qytetarë. Prej tyre, 301 pacientë tashmë janë shpallur të shëruar.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar të hënën, se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, kanë vdekur 9 persona. Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 425.
IKSHPK ka njoftuar se nga testimi i 470 mostrave, pozitive në koronavirus janë konfirmuar 129 raste, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 11.848.
Të shëruar gjatë 24 orëve janë konfirmuar 122 pacientë. Deri më tani, nga trajtimi që kanë marrë në institucionet shëndetësore janë shëruar 7.684 persona, ndërsa raste aktive aktualisht janë 3.739./Llapi.info






