Në Komunën e Podujevës janë regjistruar edhe 12 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 8 prej tyre janë nga qyteti dhe me nga një rast në fshatrat; Bradash, Sfeçël, Shajkoc dhe Dumnicë e Poshtme.
Bazuar në të dhënat e fundit, numri i personave aktivë me këtë virus në Podujevë është 170. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama. Epidemiologia dhe anëtarja e shtabit emergjent në këtë komunë ka shtuar se janë në pritje të rezultateve edhe për 54 persona.
Krahas rasteve të reja, sot nga IKSHPK-ja s’është bërë e ditur për ndonjë pacient llapjan të shëruar.
Në Podujevë pozitivë kanë rezultuar rreth 450 persona, kurse janë testuar mbi 1 mijë qytetarë. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Deri më tani janë raportuar nëntë raste me fatalitet, kurse janë shpallur të shëruar rreth 230 pacientë llapjanë.
Për shkak të rritjes së numri të të infektuarve, që nga 28 korriku në Podujevë është rikthyer “ora policore”. Policia e Podujevës ka shqiptuar rreth 600 fletëparaqitje për qytetarët që s’i kanë respektuar masat anti-covid.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK ) ka njoftuar se gjatë 24 orëve ka testuar 521 mostra dhe si rezultat 205 persona kanë dalë të infektuar me koronavirusin e ri.
Përgjatë 24 orëve, me këtë virus kanë vdekur 11 persona, duke e çuar numrin total të viktimave në 365.
Sipas të dhënave të këtij Instituti të mërkurën janë regjistruar edhe 163 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 4,019.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,795 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info






