Lokale - eSIMy

Komuna e Podujevës ka regjistruar edhe 17 raste të reja me virusin korona, pas konfirmimit të marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të Komunës, 6 raste janë nga qyteti, 3 në Lupç, 2 në Dumnicë dhe me nga një rast në fshatrat; Siboc, Zakutë, Metehi, Llapashticë, Shakovicë dhe Gërdoc.

Me këto raste e konfirmuara sot, numri i personave aktivë me virusin korona në Podujevë është 163. Krahas rasteve të reja, sot janë shpallur të shëruar edhe 14 pacientë llapjanë, duke çuar në total numrin e tyre në 205. Deri më tani, 9 persona nga Podujeva kanë ndërruar jetë, të cilët përveçse kanë qenë me COVID-19, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Që nga 15 marsi, kur edhe është paraqitur rasti i parë me koronavirus në Podujevë, pozitivë kanë rezultuar më shumë se 350 persona. Që nga atëherë, mbi 1 mijë llapjanë i janë nënshtruar testimit.

Për shkak të numri të madh të të infektuarve, nga data 28 korrik është rikthyer ora policore në Podujevë. Zyrtarët komunalë kanë thënë se lirimi i masave në fillim të qershorit ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Podujevë, gjersa janë paralajmëruar masa më rigoroze ndaj atyre që s’i përfillin rekomandimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Sipas epidemiologes së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama, testime në këtë qendër s’do ketë deri të hënën.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se gjatë 24-orëve të fundit janë regjistruar edhe 190 raste të reja të të infektuarve, pas testimit të 443 mostrave.

Sipas IKSHPK-së, gjatë 24-orëve të fundit janë shënuar edhe 12 viktima, duke çuar në total numrin e të vdekurve në 315.

Që nga muaji mars, kur edhe janë paraqitur rastet e para, në Kosovë janë infektuar 10.059 persona, prej tyre 5.677 janë shëruar, ndërkaq raste aktive janë 4.067./Llapi.info