Lokale - eSIMy

Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, e ka quajtur show politik iniciativën për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një njoftim të PDK-së, Ismaili ka shtruar dy pyetje për Vetëvendosje, “në një moment të tillë kur kjo parti po kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me PDK-në”, për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, paralajmëroi fillimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por shpresat i paska varur në Partinë Demokratike të Kosovës. Në një moment të këtillë, kur kjo parti po kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me PDK-në, atëherë pashmangshëm shtrohen disa çështje që kërkojnë përgjigje publike. E para, LVV duhet të tregojë se çfarë ndodhi që i paska fshirë vijat e kuqe me PDK-në? E dyta, LVV duhet të tregojë sa është serioze në iniciativën për mocionin që e ka nisur në Kuvendin e Kosovës?” ka thënë fillimisht ai.

Sipas tij, ky është më shumë show politik. Ai ka thënë se me votat e VV-së dhe PDK-së s’mund të rrëzohet Qeveria.

“Nga përvoja e kaluar, ky duket më shumë si një show politik i radhës sesa një përpjekje e sinqertë. Sepse, votat e LVV-së dhe PDK-së nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë. Përkundrazi, e shtyjnë këtë Qeveri edhe për 6 muaj, sepse ligji thotë që mocioni i mosbesimit mund të ngrihet vetëm një herë në gjashtë muaj. Prandaj, VV duhet të tregojë se a e ka kontaktuar paraprakisht ndonjë parti politike që t’i japë formë dhe përmbajtje këtij bashkëpunimi që po kërkon nga PDK? A e mendon seriozisht rrëzimin e Qeverisë, pra sigurimin e 61 votave, apo është iniciativë vetëm për show politik?” ka shtuar Ismaili.

Ismaili ka shprehur dyshimet e PDK-së ndaj iniciativës së VV-së për rrëzimin e Qeverisë në kohë pandemie, duke deklaruar se në kohën kur ishte nisur mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti, VV-ja ankohej për rrëzim në kohë pandemie.

“Kur LDK nisi mocionin për Qeverinë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ankohej për rrëzimin e Qeverisë në kohë pandemie me vetëm 15 raste infektimi në ditë. E tani kur Kosova është ndoshta në kulmin e pandemisë, me nga 15 raste të vdekjeve dhe mbi 200 të infektuar në ditë, kjo sot nuk po i pengon Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndërmarrë iniciativën e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Pra, kemi të bëjmë me standarde të dyfishta të VV-së”, është shprehur ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa PDK-ja 24. Për rrëzimin e një Qeverie duhen së paku 61 vota.