23 raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të mërkurën në Podujevë, duke çuar në total numrin e rasteve aktive në 156, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimi të IKSHPK-së, rastet e reja janë 6 nga qyteti, 4 në Gllamnik, 2 në Sfeçël dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Bradash, Dumnicë e Epërme, Dyz, Kërpimeh, Llaushë, Pakashticë e Poshtme, Lladoc, Revuçë, Sekiraçë dhe Shakovicë.
Bazuar në të dhënat e fundit, numri i personave aktivë me këtë virus në Podujevë është 156, ndërsa sot janë shpallur të shëruar 17 pacientë llapjanë. Deri më tani, numri i personave që janë shëruar ka arritur në 171, gjersa janë raportuar nëntë raste me fatalitet.
Deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar 337 persona, kurse janë testuar rreth 1.000 mijë qytetarë. Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Për shkak të rritjes së numri të rasteve, edhe Podujeva është futur në orë policore. Rreth 560 fletëparaqitje ka shqiptuar Policia e Podujevës. Ndërkaq, Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, ka paralajmëruar masa më rigoroze ndaj atyre që s’i respektojnë masat anti-covid.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të mëkurën 218 raste të reja të prekura me koronavirusin e ri, pas marrjes së 461 mostrave.
Sipas këtij Instituti, përgjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 15 pacientë të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton ky virus, duke çuar në total numrin e viktimave në 284.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, e deri më tash, janë regjistruar 9.492 raste pozitive, gjersa raste aktive mbesin edhe 3.862./Llapi.info