Dy muaj pas aktivizimit të Planit të Reagimit Kombëtar, ministri i Brendshëm, Agim Veliu, synon që nëpërmes tij të marrë përgjegjësinë kryesore për koordinimin e operacioneve qendrore brenda Kosovës, për t’iu përgjigjur situatës së krijuar me Covid – 19.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë javës së kaluar kishte kërkuar pajtim mes kabinetit qeveritar për të aktivizuar këtë plan, ky proces ishte në fuqi që nga marsi i vitit të kaluar.
E për ta funksionalizuar në tërësi planin, grupi punues i kryesuar nga Veliu takohet sot në orën 14:00, në ndërtesën e Qeverisë.
“Ministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator i Grupit Ndër- Institucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI), z. Agim Veliu, do të mbajë takimin e radhës me përfaqësues të këtij grupi për të diskutuar rreth situatës aktuale me pandeminë COVID-19”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.






