Komuna e Podujevës ka marrë donacion 25 laptopë për nxënës që t’i ndjekin mësimet online në kohë pandemie, mirëpo të njëjtit s’janë shpërndarë për ta, raporton Llapi.info.
Në drejtim të kësaj drejtorie dhe komunarëve të tjerë janë hedhur një varg kritikash në pikën kur po diskutohej informata e Drejtorisë së Arsimit për përfundimin e vitit mësimor 2019/2020. Opozita duke kritikuar ka thënë se kjo informatë, sipas tyre, është tejet e mangët.
Këshilltarët opozitarë në seancën e fundit kanë thënë se mësimi në distancë, në këtë komunë, sipas tyre, s’është realizuar siç duhet, duke cilësuar edhe si dështim.
Përkundër kësaj, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, ka thënë se pjesëmarrja e nxënësve në mësimin e drejtpërdrejt ka qenë e kënaqshme.
“Më 11 mars u mor vendim që të ndërpritet mësimi, ndërsa filloi mësimi online që ka pasur realizim të mirë dhe pjesëmarrje të kënaqshme. Po ashtu, ka pas vështirësi dhe sfida, kemi qenë në bashkëpunim me drejtorët e shkollave dhe Ministrinë e Arsimit”, ka thënë ai.
Se që ka qenë sfidë kjo formë e mësimit e ka thënë edhe këshilltarja e LDK-së, Arlinda Kadriu, e cila njëkohësisht e ushtron edhe rolin e mësimdhënëses.
Sa i përket kësaj pike, këshilltarët opozitarë s’i kanë ndalur kritikat. Të njëjtit kanë akuzuar Drejtorinë e Arsimit për donacionin e marrë me pajisje në realizim të mësimit online për nxënësit, por që këto s’i ka shpërndarë.
“Informata për arsim ngjanë më shumë si detyrë dhe jo si informatë. Sa ka qenë pjesëmarrja e nxënësve në mësim online? Sa është përqindja e atyre që s’e kanë ndjekur mësimet si rezultat i pajisjeve dhe çka ka bërë komuna në këtë drejtim? Gjendja jo e mirë në arsim vërehet në shumë forma. Karakteristikë e udhëheqjes së drejtorisë komunale të arsimit që nga udhëheqja e ish-kryetarit me të ka qenë vendosja e drejtorëve 100 për qind të dëgjueshëm, të cilët vetë formalisht kanë qenë aty, pasi ai ka udhëheq vetë sidomos tek punësimet klienteliste”, ka thënë ai këshilltari i VV-së, Avni Fetahu.
“Punësimi i afërt me pushtetarët, derisa nga ana tjetër organizata joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu” ka reaguar për mos-dhënien e informatave nga Drejtoria e Arsimit për mësimin online në kohë pandemie. Kjo organizatë ka thënë se pajisjet për mësimet asnjëherë s’janë shpërndarë tek nxënësit në nevojë. VV propozon që të merren hapat për sigurimin e pajisjeve për nxënësit”, ka thënë Fetahu.
Në anën tjetër, asamblisti i PDK-së, Pajtim Hodolli ka deklaruar se mësimi në distancë në Podujevë ka dështuar.
“Çfarë keni bërë ju për zbatimin e metodës së mësimit nga distanca? Ju nuk dhatë asnjë të dhëne për shkollat, si kanë përformuar dhe sa është shkalla e suksesit në % pasi në bazë të të dhënave statistikore ne mund të dimë se sa keq ka dështuar kjo metodë e të aplikuarit të mësimit online. Qasja juaj nuk më duket serioze, çka është edhe më keq, në përfundim të vitit keni kërkuar nga arsimtarët që të rriten shifrat e suksesit për pjesëmarrje vetëm që të dilet mirë me statistika pa çarë kokën se, a kanë mësuar fëmijët diçka apo jo, kjo është skandaloze, është edhe e kundërligjshme”, ka thënë Hodolli.
“Kemi të dhëna se keni pranuar donacion pajisje në emër të nxënësve dhe asnjëherë nuk i keni shpërndarë, ky është keqpërdorim”, ka thënë Hodolli, duke parashtruar edhe disa pyetje për donacionin dhe pjesëmarrjen e nxënësve në këtë formë mësimi.
Edhe Rafet Llapashtica tha se ky raport, siç ka potencuar ai, nuk është strikt, pasi sipas tij, menaxhimi s’ka shkuar në rregull. Ai ka deklaruar se stafet në shkolla, sipas Llapashticës, s’kanë ditur t’i përdorin mjetet teknologjike për mësim në distancë.
Sipas drejtorit Blakçori, pjesëmarrja e nxënësve në mësim online ka qenë mbi 71 për qind. Ai ka deklaruar se nga kjo formë e mësimit ka pasur edhe efekte pozitive.
“Ka qenë sfidë dhe kemi bërë përpjekje maksimale brenda rrethanave. Shqetësim më i madh është që nëse nuk do të nis mësimi i rregullt nëpër shkolla në shtator. Për periudhën që e kemi kaluar mendoj se e kaluam me sukses, pasi që diku 71% është ndjekur mësimi, ndërsa 30% kemi ndjekur në forma tjera. Ka pas efekte pozitive. Sfidë do t’i kemi edhe për mësimdhënësit në moshë. Gjendjen në arsim s’do ta cilësoja më keq se në komunat tjera”, ka shtuar ai.
Blakçori ka konfirmuar se kjo komunë ka pranuar donacionin me pajisje teknologjike për nxënësit për ndjekjen e mësimit online.
“25 laptopë janë dhënë donacion për Komunën e Podujevës. Më 13 maj është pranuar dorëzimi, 8 kanë qenë për Gjimnazin, 8 për Shkollën Ekonomike dhe 9 për Shkollën Teknike. Si përdoren këta laptopë e dinë më mirë drejtorët e shkollave, unë s’e di. Në bazë të raportit, 2.64 për qind e nxënësve s’e kanë ndjekur mësimin, e që këtë raport e kemi dërguar në Ministri për t’i bërë një zgjidhje dhe t’iu ofrohen pajisje këtyre nxënësve për mësim në distancë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, pak ditë më parë, edhe OJQ “Demokracia Fillon Këtu” me anë të një komunikate pati reaguar duke shtuar se komuna s’i pati shpërndarë tek nxënësit pajisjet teknologjike për ndjekjen e mësimit në distancë, ani pse të njëjtit kanë qenë të destinuar për ta./Llapi.info






