Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë të ditur sot edhe për 17 raste të reja me koronavirus në Podujevë. Mirëpo, ky numër po del të jetë i pasaktë, raporton Llapi.info.

Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama i ka thënë portalit Llapi.info se sot janë regjistruar vetëm 7 raste të reja me COVID-19. Siç ka thënë Rama, këta qytetarë llapjanë janë testuar në Klinikën Infektive.

“S’i kemi 17, por vetëm 7 raste të reja me virusin korona. Prej tyre, 2 janë nga qyteti dhe nga një rast nga fshatrat; Majac, Dobratin, Metehi, Gllamnik dhe Lupç. Me këto raste, tani i kemi 112 raste aktive në Podujevë”, ka thënë Rama.

Epidemiologia dhe koordinatorja e shtabit emergjent komunal, Bedrie Rama ka theksuar se sot janë testuar 17 qytetarë llapjanë.

“Sot i kemi bërë 17 testime, nesër do t’i kryejmë edhe 20. Mostrat që janë testuar dje s’kanë dalë ende rezultatet”, thotë Rama.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar mbi 200 persona. Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Pas rritjes së numrit të rasteve, në Podujevë që nga mbrëmë ka nisur edhe ora policore.

Ndërkohë, 194 raste të reja me virusin korona janë konfirmuar sot në Kosovë, pas testimit të 494 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar edhe për katër viktima gjatë 24-orëve të fundit, duke bërë kështu që numri i të vdekurve në Kosovë të arrijë në 196.

IKSHPK-ja po ashtu tha se të mërkurën janë shëruar 138 pacientë, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve nga koronavirusi shkon në 4,268.

Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars. Prej atëherë, ka konfirmuar gjithsej 7,846 raste pozitive. Sipas njoftimit, raste aktive vazhdojnë të mbeten edhe 3,383./Llapi.info