Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dy policë për të cilët dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet gjatë një incidenti që kishte ndodhur në Pejë më 17 korrik.
Sipas njoftimit të IPK-së, arrestimi i zyrtarëve policorë është bërë të premten mbrëma.
“Policia e Kosovës më 17 korrik kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari (të mitur, 16-vjeçar), për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më 17 korrik në Pejë”, thuhet në njoftim.
Rasti ishte përcjellë për trajtim në IPK, përkatësisht në Departamentin e Hetimeve të IPK-së.
“Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dje në orët e mbrëmjes dy zyrtarët policorë në Pejë, që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident. Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’. Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit policor.
Sipas njoftimit, njëri zyrtar i arrestuar është i dyshuar edhe për kanosje ndaj një dëshmitari të incidentit.






